Shoqata e Gazetarëve Europianë, dega Shqipëri shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon incidentin e ndodhur ditën e sotme në pikën kufitare të Kapshticës, ku dy grupe gazetarësh dhe ekipi i xhirimit nga TV Klan dhe A2 CNN u bllokuan për rreth tre orë në Kapshticë nga pala kufitare greke pa asnjë shkak!
Ekipet nga dy mediat shqiptare ishin nisur për në Selanik për të pasqyruar një aktivitet të kryeministrit Edi Rama, por pala greke bllokoi pa asnjë shkak kalimin e tyre për 3 orë duke cënuar një nga liritë themelore të Unionit Europian, lëvizjen e lirë!
Kërkesat e policëve grekë për leje të posaçme për grupet e xhirimit, të pajisura me furgon transmetimi të drejtpërdrejtë, është një praktikë që krijon pengesa të panevojshme dhe cënon lirinë e shtypit dhe të informimit.
Gazetarët janë mbajtur në pritje pa një arsyetim të qartë, duke krijuar një pengesë për të kryer detyrën profesionale.
AEJ Albania dënon këtë incident dhe u bën thirrje autoriteteve greke të garantojnë trajtimin e drejtë dhe të barabartë për gazetarët e vendeve të tjera, në përputhje me liritë dhe standardet ndërkombëtare të shtypit.
Cënimi i të drejtës për të informuar dëmton parimet bazë të transparencës dhe profesionalizmit të medias.
Për çdo situatë AEJ Albania do të informojë dhe platformat ndërkombëtare.