AEJ-Albania

AEJ, dënon veprimet e paligjshme të policisë ndaj gazetarit Ervis Hila

Shoqata e Gazetarëve Europiane seksioni shqiptar, shpreh shqetësimin për klimën agresive ndaj gazetarëve të terrenit nga policia e shtetit. Rasti i shoqërimit të gazetarit Elvis Hila ndërkohë që ishte duke raportuar për televizionin “Report TV”, për prishjen e disa godinave në zonën e Tales në Lezhë, është këmbanë alarmi dhe tregon agresivitetin që institucionet në veçanti policia, po ushtron ndaj gazetarëve.

AEJ Shqipëri, dënon këtë veprim aspak profesional të policisë dhe e konsideron një akt që përveç shkeljeve të të drejtave të njeriut, dëmton rëndë imazhin e vendit ndërkohë që po synohet hapja e negociatave me Bashkimin Europian. Gazetarët duhet të mbështeten në ushtrimin e detyrës së tyre për informimin e publikut, dhe jo të pengohen me shoqërime apo arrestime.

Shqetësuese situata bëhet kur ndaj punonjësve të policisë së shtetit, nuk merren masa për shkelje të të drejtave të gazetarëve. Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar, apelon ndaj Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, të ndikojnë në zbutjen e kësaj klime agresive ndaj punonjësve të medias me raste të përsëritura. Gjithashtu apelojmë që të marrin masat e nevojshme disiplinore ndaj gjithë punonjësve të policisë që abuzojnë me uniformën e policisë.

Për këtë rast AEJ Shqipëri, ka informuar edhe platformën e Këshillit të Europës që denoncon dhunën e ushtruar ndaj medias.

Exit mobile version