AEJ Shqipëri solidarizim me gazetarët e Ora News

Shoqata e Gazetarëve Europiane, dega Shqipëri e ka ndjekur nga afër situatën e krijuar me 2 televizionet, RTV Ora dhe Ora News, pas urdhërit për sekuestrimin e pasurive të pronarit Ylli Ndroqi, me akuzën e mosjustifikimit të pasurisë dhe përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.

AEJ Shqipëri, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e 2 televizioneve, dhe shpreh mbështetjen ndaj gjithë stafit në veçanti gazetarëve për të vijuar misionin e tyre duke informuar publikun me profesionalizëm si kanë bërë deri tani.

Apelojmë institucionet që të kenë kujdes të shtuar ndaj punonjësve të medias, duke mos cënuar punën e tyre me ndërhyrje direkte në politikën editoriale, siç është vërejtur më parë me episode flagrante.

Bie në sy fakti se ky urdhër ka shumë “koinçidenca”, ku përfshihen 2 televizione kritike ndaj Qeverisë dhe punës së Bashkisë Tiranë. Pjesë e tyre është fakti se këto televizione më parë janë gjobitur e urdhëruar edhe mbyllja me pa të drejtë, nga institucione shtetërore. AEJ inkurajon institucionet të vijojnë hetimet ndaj çdo të dyshuari, pa u ndikuar politikisht.

Apelojmë gjithë faktorin ndërkombëtar që mos të harrojë në asnjë moment, se në raportet më të fundit për lirinë e medias, Shqipëria ka rënë ndjeshëm, duke shfaqur tendenca të qarta të një rregjimi autoritarist. Në të gjitha raportet si Reportët pa Kufij, Freedom House etj, është evidentuar se Qeveria aktuale e drejtuar nga Edi Rama, synon me ndërhyrje direkte të kontrolloj median e pavarur, shqetësim i ngritur disa herë edhe nga degët tona në Europë.

AEJ Shqipëri, po ndjek nga afër situatën e krijuar në 2 televizionet, Ora News dhe RTV Ora, dhe për çdo shqetësim dhe problematikë ndaj cënimit të lirisë editoriale apo punës së gazetarëve, do të ngrejë fortë zërin në Këshillin e Europës dhe institucionet e rëndësishme europiane.



Leave a Reply