AEJ seksioni shqiptar denoncon përdorimin e gazit lotsjellës ndaj ekipeve të medias!
- January 24, 2026
- Posted by: shoqata1
- Category: LAJME
Shoqata e Gazetarëve Europianë, seksioni shqiptar, dënoncon përdorimin pa kriter të gazit lotsjellës nga ana e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë dhe Parlamentit sidomos ndaj ekipeve mediatike.
Nga pamjet e transmetuara nga mediat shihet qartë se forcat e policisë, në jo pak raste, kanë goditur me ujë me presion dhe me gaz lotsjellës ekipet e xhirimit, kameramanët dhe gazetarët, të cilët ndodheshin në krye të detyrës për të pasqyruar ngjarjen.
Në disa raste, gazetarët dhe kameramanët janë përballur me situata kritike, për shkak të pamundësisë për të marrë ndihmën e nevojshme si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës.
Shoqata e Gazetarëve Europianë i kujton Policisë së Shtetit se ligji për menaxhimin e protestave e ka të parashikuar qartë përdorimin e mjeteve të tilla, si dhe kufizimet përkatëse.
Mbi të gjitha, Policia e Shtetit dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme duhet të kuptojnë rolin e medias dhe të respektojnë të drejtën e gazetarëve për të informuar publikun, pa u penguar dhe pa u rrezikuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Shoqata e Gazetarëve Europianë kërkon nga institucionet përkatëse të hetojnë veprimet e efektivëve të policisë ndaj gazetarëve gjatë kësaj proteste dhe të merren masat e nevojshme ligjore.