Qëndrim i AEJ Shqipëri për dy episode të rënda ndaj medias
- October 4, 2020
- Posted by: shoqata1
- Category: LAJME
Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar, shpreh shqetësimin për dy episode shumë të rënda, të ndodhura këtë fundjavë ndaj medias, cfarë tregojnë për një klimë aspak normale në të ushtruarit e profesionit të gazetarit.
AEJ Shqipëri, e konsideron të tepërt dhe fyes, reagimin e Presidencës ndaj Gazetës Tema. Institucionet publike nuk duhet të reagojnë në asnjë rrethanë në shkelje të etikës dhe aq më tepër të fyejnë një media, pavarësisht qëndrimeve të kundërta.
Beteja e institucioneve publike në Shqipëri, nuk është me median, por me të vërtetën dhe transparencën.
Shqetësimi i dytë lidhet me përjashtimin e gazetares të televizionit Syri, nga një aktivitet politik i Partisë Socialiste. Episod që tregon se media, sidomos ajo kritike diskriminohet në mënyra të padrejta. Ne i bëjmë thirrje partive politike të tregohen me transparente me median dhe të respektojnë gazetarët.
Fatkejsisht ky është një fenomen që po përhapet ndjeshëm kohët e fundit si te partia në pushtet por edhe te ato opozitare.
AEJ dega Shqipëri i bën apel faktorit politik, të kenë më kujdes në respektimin e të drejtave të gazetarëve si një nga të drejtat themelore për një shtet demokratik ku shoqëria aspiron.
Për çdo episod që cënon lirinë e medias dhe intimidohet, AEJ Shqipëri do të njoftojë edhe platformat kryesore Europiane.